“Paketoj teshat dhe merri me vete”, fjalët e njeriut nga Gjykata Speciale për eprorin e UÇK-së
Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se në kohën e fundit janë dërguar tri ftesa në cilësinë e të dyshuarve ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së. Ai ka thënë se tre ish-ushtarët e UÇK-së nuk kanë dashur t’iu bëhet i ditur identiteti i tyre.
Gucati e ka quajtur skandaloze njërën nga ftesat që i është bërë njëri prej të dyshuarve nga zona e Llapit. Ai ka thënë zyrtari i Gjykatës Speciale i ka thënë eprorit të UÇK-së se mund t’i marrësh teshat me vete.
Sipas Gucatit skandaloze po janë edhe ftesat nga Gjykata Speciale, që sipas tij po bëhen në kafe dhe në rrjete sociale.
“A e din çfarë i kanë thënë kur ja kanë dorëzuar ftesën, i kanë thënë paketojë teshat dhe merri me vete. Kjo është absurde ajo çfarë i kanë thënë për shkak se ai nuk është prokuror e as gjyqtar”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Më tutje ai ka thënë se dy të tjerët e dyshuar nga Gjykata Speciale janë nga Prishtina dhe Prizreni.
“Kjo është skandaloze që të flitet kështu, madje edhe ftesat që bëhen në kafe, në viber apo në facebook. Boll i poshtër ka qenë shteti i Serbisë, por nuk janë bërë ftesat në rrugë. Një tjetër i dyshuar është nga Prizreni dhe një person tjetër është nga Prishtina të cilët nuk kanë dashur të bëhen publik emrat e tyre”, ka deklaruar ai./Gazeta Sinjali/