Pamje të rënda: Sulmi terrorist ndaj qeverisë në aeroportin e Jemenit kapet direkt nga kamerat
Të paktën dhjetë vetë kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur në një sulm të rëndë në aeroportin e kryeqytetit të Jemenit, Aden pak pas uljes së avionit që solli qeverinë e vendit nga Arabia Saudite.
Shpërthimet e forta dhe zjarri i armëve u regjistruan në kamera pak pas ardhjes së avionit, thanë dëshmitarët.
Spektatorët, media dhe personali i sigurisë shihen që vrapojnë për t’u strehuar nga shpërthimi fillestar dhe më pas nga plumbat, në një distancë të shkurtër nga aeroplani.
Ministrat e qeverisë duke përfshirë kryeministrin Maeen Abdulmalik, dhe ambasadorin saudit Mohammed Said al-Jaber, u shpëtuan duke u transferuar në pallatin presidencial Mashiq.
Nuk kishte raportime për të plagosur mes delegacionit zyrtar.
Ministri jemenit i komunikimeve Naguib al-Awg, i cili ishte në avion, tha se kishte dëgjuar dy shpërthime dhe sugjeroi se ishin kryer me dronë.
“Katastrofa do të kishte qenë sikur të ishte bombarduar avioni”, tha ai duke insistuar se objektivi i sulmit ishte avioni, i cili sipas orarit duhet të ishte ulur më herët.
Ende nuk janë të qarta burimet e shpërthimeve, edhe zyrtarë vendas thanë se tre predha mortaje kishin rënë pranë sallës së pritjes së aeroportit.
Imazhet nga skena e sulmit tregonin rrënoja ndërtesash dhe xhami të përhapura në pistën e aeroportit, dhe të paktën dy trupa të pajetë përtokë.
Kabineti i ri qeveritar është një bashkim i qeverisë së presidentit në ekzil Abd-Rabbu Mansour Hadi dhe i grupeve jugore separatiste.
Dy grupet janë pjesë e aleancës së mbështetur nga Arabia Saudite, që luftojnë kundër rebelëve Huthi në veri, që mbështeten nga Irani.