Paneli i Gjykatës së Apelit miraton pjesërisht apelet e Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhur me paraburgimin
Paneli i Gjykatës së Apelit ka vendosur lidhur me apelet e mbrojtjes së Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kundër vendimeve të gjykatësit të procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim.
Ky panel ka miratuar një arsye apelimi për secilin të akuzuar dhe ia ktheu çështjen prapa gjykatësit të procedurës paraprake për vlerësim të mëtejshëm, nëse masat e propozuara nga të paraburgosurit ose çdo kusht tjetër që gjykatësi i procedurës paraprake e identifikon si të domosdoshëm, mund të zvogëlojnë rreziqet e identifikuara dhe të zbatohen në mënyrë efektive nga policia e Kosovës.
Ndërkaq, pikat tjera të ankesës janë hudhur poshtë për të tre të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimeve, paneli konstaton se nëse gjyqtari i procedurës paraprake konsideron, dhe siç bëri në fakt, se përgjigja nga Policia e Kosovës nuk ishte mjaftueshëm e kënaqshme, atëherë ai duhet të kishte pyetur me Drejtorin e Policisë për të marrë përgjigjen e detajuar që ai gjeti se mungon, veçanërisht pasi ai ishte ftuar shprehimisht për ta bërë këtë nga mbrojtjet e të akuzuarve dhe përgjigja e Drejtorit të Policisë nënkupton aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet.
“Paneli kujton se kryerja e një hetimi të tillë do të binte në kompetencat diskrecionale të cilave i është dhënë Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në përputhje me Nenin 39 (13) të Ligjit në lidhje me çështjet e lidhura me paraburgimin, në varësi të rrethanave të rastit. 1 Paneli gjithashtu vëren se Gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka dhënë arsye për të mos urdhëruar Drejtorin e Policisë që të japë një përgjigje të detajuar pavarësisht se e pranon nevojën për të”, thuhet në vendime.
Ky panel ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar duke mos e bërë këtë, se ky informacion do ta kishte vënë atë në një pozitë për të vlerësuar nëse Policia e Kosovës mund të zbatojë në mënyrë efektive këto masa, përfshirë ato që ai sugjeroi, si p.sh vizita monitoruese.
Sipas tyre, informacioni më i saktë i këtij lloji do t’i jepte gjyqtarit paraprak një bazë faktike më të plotë dhe solide për të vlerësuar realizueshmërinë e këtyre kushtet, natyrisht pa parashikuar rezultatin e përcaktimit përfundimtar në këto çështje.
Ndryshe, në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.