Para ndeshjes me Shqipërinë, Vuçiq ka një porosi për selektorin e Serbisë
Të shtunën mbrëma, në një tubim politik në qytetin e Nishit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përmendur edhe ndeshjen e ardhshme të futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, që zhvillohet më 7 qershor në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, shkruan Gazeta Sinjali.
Në prani të qindra qytetarëve dhe figurave të njohura, Vuçiq iu drejtua selektorit të Serbisë, Dragan Stojkoviq – i cili ishte i pranishëm në tubim – duke e përmendur ndeshjen ndaj Shqipërisë.
“Pak më parë e kam parë dhe tani po e shoh që është sërish këtu. Ju lutem një duartrokitje të madhe për selektorin e Serbisë, Dragan Stojkoviq – Piksi, legjendën e Nishit, që nuk është fshehur si shumë të tjerë dhe erdhi që të jetë sonte me ne. Në qershor apo korrik luan atje ndaj Shqipërisë, t’i mposhtësh ata”, ka thënë Vuçiq, shkruan mediumi serb “Sport Klub”.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të jetë vendimtare për fatin e skuadrave në garën për vendin e dytë në grupin kualifikues.