Paraburgim kuksianit për drogë në Prizren
Departamenti i Krimeve të Rënda, që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, me kërkesë të Prokurorisë Themelore, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale L.M. nga fshati Bele e Kukësit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Gjykatës “i pandehuri dyshohet se gjatë tentimit të kalimit të kufirit Shqipëri – Kosovë në këmbë në posedim të pandehurit janë gjetur substanca narkotike që dyshohet të jetë e llojit “marihuanë”, dhe atë një qese najloni me peshë prej 1.kg e 495 gr, të paketuara për shitje”.
“Duke pasur parasysh peshën e veprës penale e cila në rastin konkret është e rëndë,pasi që i pandehuri dyshohet se ka kryer veprime kundërligjore duke vepruar në dëm të vlerave të shoqërisë ku mbrohet jeta e njerëzve shëndeti i popullsisë e veçanërisht i të rinjve, kjo vepër penale është mjaft e shprehur dhe pasojat e saj ndjehen çdo ditë e më shumë në popullatën vendore në Kosovë, rritet numri i personave që shfrytëzojnë mjetet narkotike, andaj është konstatim i gjykatës se caktimi i paraburgimit ndaj të njëjtit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale”, thuhet në kumtesën e GJTH-së së Prizrenit./GazetaePrizrenit.net