28-11-2024

Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e të miturës në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe Departamenti për të Mitur, kanë vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve E.R dhe G.R (ky i fundit i mitur), të dyshuar për dhunimin e një të miture në Prishtinë, duke ua caktuar nga një muaj paraburgim.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 një muaji për secilin veç e veç, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit dhe të miturit, ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që të njëjtit do ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.6 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, në raportin 24 orësh të policisë, thuhet se e mitura ka raportuar në polici se është dhunuar nga pesë persona në Prishtinë dhe se rasti kishte ndodhur të shtunën/BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.