Paraburgim ndaj të dyshuarit për grisjen e Kuranit në Prizren
I dyshuari për rastin e grisjes së librit të shenjtë të fesë islame- Kuranit, më 3 mars në Prizren, ka dalë para gjykatës. Pas seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ia ka caktuar të dyshuarit Ismet Popaj, një muaj paraburgim, raporton Gazeta Sinjali.
Popaj dyshohet se me veprimet e tij, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.
“Nga provat e siguruara nga Policia me autorizim të PSRK-së e të bashkangjitura kërkesës për caktim të masës së paraburgimit e të cilat prova gjenden në shkresa të kësaj lënde, gjykata vlerëson dhe konstaton se në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore ngase ekziston dyshimi i bazuar se me datën 03.03.2025, rreth orës 12:10, në Prizren, në afërsi të teges Halveti, ka nxitur he përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve fetare”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
“I njëjti e kishte marrë librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin të cilin e kishte grisur, ashtu që pasi qytetarët i kanë vërejtur copëzat e grisura në rrugë, rastin e kanë paraqitur në polici dhe me këtë rast është shkaktuar mllef i madh te komuniteti islam dhe është cenuar bashkëjetesa mes grupeve me ideologji të ndryshme fetare me çka edhe mund të prishej rendi dhe qetësia publike”, thuhet tutje në vendim.