Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, caktoi masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1)muaji ndaj të pandehurit me iniciale L.D. nga fshati Celinë e Rahovecit, dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës me iniciale A.D. nga fshati Xërxë, në kohëzgjatje prej një(1) muaji,shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer secili veç e veç veprën penale, falsifikimi i parasë.
Nga shkresat e lëndës rrjedhë dyshimi i bazuar se në ditën kritike i transportojnë respektivisht i posedojnë para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim si të vërteta. “Pas ndalimit nga patrulla e policisë të automjetit “Audi” të cilin e drejtonte i pandehuri me iniciale L.D. dhe si bashkudhëtare e pandehura me iniciale A.D., dhe gjatë kontrollës janë gjetur monedha metalike në vlerë të prej 1.000 (njëmijë ) euro të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara, dhe një sasi e cigareve prej 96 pako të cilat dyshohen të jenë blerë me para të falsifikuara”, thuhet në përshkrimin e lëndës.
Se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Ndonëse në njoftimin nga Gjykata nuk saktësohet se ku janë arrestuar të dyshuarit, duket se bëhet fjalë për rastin, që ka ndodhur dy ditë më parë në Suharekë. Policia pat njoftuar se dy persona janë arrestuar në rrugën “Xhavit Syla” të qytetit për falsifikim të parave, ndërsa ishte konfiskuar edhe automjeti në të cilin bartnin ato bashkë me disa pako cigaresh./GazetaePrizrenit.net