Paraburgim për aksidentin në Mrasor të Rahovecit
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Zeqir Gashi, i cili dyshohet se ka se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Prokurori Enis Gashi, ka deklaruar se ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri më 30 tetor 2018, rreth orës 11:25, në rrugën magjistrale Gjakovë-Prishtinë, respektivisht në fshatin Mrasor të Komunës së Rahovecit, nga pakujdesia ka shkaktuar aksident trafiku, me ç’rast ka humbur jetën një person.
Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ergjyment Berbullushi, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rendë, duke kërkuar që të caktohet një masë më e butë, pasi sipas tij, kjo vepër penale kryhet në mungesë të dashjes dhe se klientit të tij, i vjen keq për rastin që i ka ndodhur.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Flamur Hasku, pas administrimit të provave, ka marr vendimin mbi caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit për arsye se në rrugën magjistrale Gjakovë-Prishtinë, respektivisht në fshatin Mrasor, Komuna e Rahovecit, nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë.
Sipas kërkesës, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin e tipit “Opel Isignia” e duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugë, pasi që ishte duke rënë shi, në vendin ku rruga ka qenë me vijë të plotë, hyn në tejkalim duke kaluar në shiritin e kundërt të rrugës, ku me pjesën e parë të veturës së tij e godet veturën e tipit “Mercedes”, të cilën e drejtonte, tani i ndjeri Hysen Salihaj.
Në kërkesën e prokurorisë thuhet se gjatë këtij aksidenti i pandehuri godet edhe të dëmtuarin Burim Vesvesja, i cili drejtonte veturën e tipit “Opel Zafira”.
Sipas raportit mjekësor të Spitalit Rajonal në Pejë, Hysen Salihaj ka ndërruar jetë në vendin e aksidentit dhe i njëjti në spital është sjell pa shenja jete, ndërsa i pandehuri dhe i dëmtuari Burim Vesvesja kanë pësuar lëndime trupore.