Paraburgim për sulmin seksual tek stacioni hekurudhor në Prizren
Departamenti i Përgjithshëm Penal, që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale B.B. nga Prizreni për sulm seksual, në një rast që ka ndodhur në afërsi të stacionit hekurudhor, për të cilin ka njoftuar “GazetaePrizrenit.net”.
Në arsyetimin e rastit thuhet se me datën 01 nëntor 2018,rreth orës 22:45 minuta, në rrugën “Tirana”, në Prizren, ai ka prekur personin tjetër me qëllim seksual, në atë mënyrë që deri sa e dëmtuara ishte duke u kthyer nga vendi i punës për në shtëpinë e saj, i pandehuri e përcjell me automjetin e tij, dhe një moment ndalon dhe del nga automjeti.
“Ai i është vënë pas të dëmtuarës duke ia kërkuar emrin, derisa sa e dëmtuara refuzon të komunikoj me të, i pandehuri e kap me forcë dhe duke u gjendur në situatë rreziku, e dëmtuara e godet me shuplakë dhe arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe si pasojë e gjendjes së rëndë emocionale, e dëmtuara është shoqëruara për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, thuhet në fund të njoftimit nga Gjykata në Prizren./GazetaePrizrenit.net/