24-11-2024

Paraburgim prej 30 ditësh të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Millun Milenkoviq-Llune

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar kështu masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it Millun Milenkoviq-Llune.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi’, Mirlinda Gashi, zëdhënëse për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“I pandehuri M.M dyshohet se me datë 06.12.2022 në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, në Zyret e Komisionit Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, përderisa zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policor kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri M.M së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra njëra granatë dhe dy shok bombat kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe ishte rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policor”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Milenkovic-Llune është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprës penale “Sulmi terrorist” që kishte ndodhur ndaj zyrave të Komisionit Komunal të zgjedhjeve-KKZ në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ngjarje dyshohet se është i përfshirë edhe ish-zyrtari policor i Kosovës Dejan Pantiq.

Po ashtu Milenkovic-Llune dyshohet edhe për veprat penale tjera të ndërmarra ndaj ushtarëve të KFOR-it, ku për këto dyshime Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke mbledhur prova dhe dëshmi që e implikojnë të njëjtit edhe në kryerjen e veprave tjera penale.

I dyshuari për sulm ndaj KFOR-it, Milun Milenkoviq- Llune sillet në gjykatë

(Pëditësuar, ora 13:55)- Para pak minutash është sjellë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i dyshuari Milun Milenkoviq- Llune, i cili u arrestua të martën për sulmet ndaj KFOR-it.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, pritet të fillojë në ora 14:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

PSRK kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj serbit Milun Milenkoviq, i cili u arrestua dje në veri

Prishtinë- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Milun Milenkoviq- Llune, i cili u arrestua të martën për sulmet ndaj KFOR-it.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Ekrem Lutfiu, zëdhënës i PSRK-së.

Ndryshe, lajmin për arrestimin e të dyshuarit Milenkoviq, e kishte konfirmuar dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, kishte shkruar ndër të tjera Sveçla.

Gjatë dhe pas arrestimit të serbit, ishin lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.