Departamenti për Krime të Rënda, që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale R.B. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale blerja,posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psiko-trope dhe analoge.
Në përshkrimin e lëndës, thuhet se me datën 14.06.2018, i pandehuri ka poseduar pa autorizim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuan,dhe atë sasinë prej 719.74 gram, nga e cila sasi, sasia prej 445.93 gram, të vendosura në katër paketime të mbështjella në qese plastike, i janë gjetur nga zyrtarët policor gjatë kontrollit- bastisjes së bërë në lokalet e tij në Prizren.
Më pas në shtëpinë e banimit të njëjtit në Prizren, po ashtu gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit, i janë gjetur në një kavanoz substanca e dyshuar për narkotik, të llojit marihuanë në peshë prej 59.61 gram, një qese plastike, me ngjyrë të zezë të mbushur me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë në peshë prej 213.66 gram.
Po ashtu tek ai R. B është gjetur edhe një paketim në xhepin e xhaketës, në peshë prej 0.54 gram, në substancë të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të cilën sasi të substancës së dyshuar për narkotikë, i njëjti e ka poseduar me qëllim të shitjes apo edhe shpërndarjes, informatë kjo e siguruar paraprakisht nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.