Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit me iniciale XH.K. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale dhuna në familje dhe veprës penale të kanosjes, raporton “GazetaePrizrenit.net”.
Në kumtesën e GJTH-së, thuhet se ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit, nga neni 187 par.1 nën par 1.2., pika 1.2.3 të KPP-së, duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat ne të cilat dyshohet se është kryer vepra penale nga i pandehuri ndaj viktimës së ndjeshme (vajzës së tij) në shtëpinë e përbashkët të palëve, duke e sulmuar fizikisht dhe kanosur me fjalë se do ta vrasë, me ç’rast te e dëmtuara është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri, e në këtë drejtim, duke e marr parasysh gjendjen momentale të dëmtuarës, rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, si dhe intensitetin e vlerës së mbrojtur, kjo e arsyeton dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tij në liri i njëjti mund të përsërisë veprën penale, ku në rastin konkret mund të shkaktohen pasojat edhe më të mëdha, si dhe të ndikojë në mënyrë negative në tërë shoqërinë e gjerë, është konstatimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit ndaj të njëjtit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale. /GazetaePrizrenit.net