Paraburgim të dyshuarin që rrahu gruan e tij në Prizren
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit N.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.3 pika (3.1) të Kodit nr.06/L- 74 Penal të Republikës së Kosovës
Gjyqtarja e procedurës – Vjollca Buzhala, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 31.01.2021 deri me datën 01.03.2021.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit N.G., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datë 31 janar 2021, në shtëpinë e tyre familjare i pandehuri N.G., i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që pas mosmarrëveshje të vazhdueshme, ditën kritike derisa e dëmtuara kthehet në shtëpi, i pandehuri e sulmon duke e kapur për flokë dhe për gjoksi, e godet me grusht në kokë, tenton të kap një dru për ta goditur, e dëmtuara arrin që të largohet jashtë shtëpisë, me ç‘rast i shkakton lëndime trupore, sipas raportit mjekësor, i lëshuar nga Emergjenca në Spitali Rajonal – Prizren,
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje posa kanë filluar, do të merret në pyetje e dëmtuara, dhe i pandehuri lidhur me rrethanat me mënyrën e kryerjes së veprës penale, kurse në rrjedhjen e mëtejme do të mblidhen prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale.
“Gjykata vendimin e vet e ka bazuar edhe në parimet e Konventës së Këshillit të Evropës (Konventën e Stambollit) për parandalim dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje e cila synon të parandalojë dhunën, ti mbrojë viktimat dhe ti ndjekë kryesit të këtyre veprave penale me tolerancë zero për këtë lloj dhune, prandaj qëndrimi i të pandehurit në masën e paraburgimit është mese i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës për zbatimin me sukses dhe efektiv të procedurës penale, dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është e justifikueshme dhe e bazuar në ligj në kuptim të dispozitave përkatëse ligjore’, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.