Paraburgim të dyshuarit nga Planeja e Hasit, gjuajti me armë dhe rrezikoi policët
Gjykata Themelore në Prizren, njofton se ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.02.2022, ndaj të pandehurit V.Ll., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 dhe veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Me dt. 29 dhjetor të vitit 2021, në fshatin Planejë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri V.Ll., posedon armë në kundërshtim me ligjin për armë 05/L-022, në atë mënyrë që pa lejen e organit kompetentë ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën – pushkë automatike të llojit AK-47 dhe pushkën e gjuetisë të tipit të panjohur, të kalibrit 12 mm.Gjithashtu me datë 29 dhjetor të vitit 2021, në fshatin Planejë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri V.Ll., me armë pushkë automatike të llojit AK-47 shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që derisa patrulla e policisë kufitare ishte e ndjekur atë, duke u larguar shtënë disa herë në drejtim të papërcaktuar, me ç’ rast vë në rrezik të madh jetën e zyrtarëve të policisë kufitare të sektorit të Vërmicës dhe inspektorëve të Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprave penale të cilat janë të natyrës së rëndë, për shkak të dënimeve që parashikohen për këto vepra penale si dhe faktit se i pandehuri është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe nuk ka ndonjë vendqëndrim të deklaruar në Republikën e Kosovës, po ashtu i njëjti edhe gjatë ndjekjes nga zyrtarët policor dhe inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë ka rezistuar me përdorim të armës dhe ka arritur që të ik deri sa është arrestuar me datën 25 janar 2022, ndërsa veprën penale dyshohet se ka kryer me datën 29 dhjetor 2021, në këto rrethana ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit apo fshehjes së tij në ndonjë vend të panjohur nga organet e ndjekjes penale me qëllim që ti shmanget përgjegjësisë penale.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale., dhe ka për qëllim parandalimin e përsëritjes së ndonjë vepre penale.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.