26-03-2026

Paralajmërohen ngrica pranverore në Kosovë, rrezik për pemëtarinë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar njoftimin e parashikimit të motit për periudhën nga sot deri më 5 prill.

Sipas IHMK-së, gjatë orëve të vona të ditës së sotme priten reshje lokale shiu, si pasojë e depërtimit të një mase ajrore më të lagësht dhe jostabile mbi rajon. Reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së premte.

Instituti thekson se fundjava do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm dhe reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në zonat malore dhe në lartësi më të mëdha mbidetare pritet që reshjet të jenë në formë bore, për shkak të temperaturave më të ulëta.

Temperaturat minimale do të variojnë nga 1°C deri në 4°C, ndërsa ato maksimale nga 6°C deri në 12°C.

Nga dita e hënë pritet një stabilizim relativ i kushteve atmosferike, me mot mesatarisht të vranët dhe intervale me diell, megjithëse në disa zona do të ketë zhvillime lokale të vranësirave të shoqëruara me riga të dobëta shiu.


Në viset malore, gjatë pjesës së dytë të javës së ardhshme, priten sërish reshje bore si pasojë e depërtimit të masave më të ftohta ajrore nga veriu dhe verilindja.

Instituti ka bërë edhe paralajmërim agrometeorologjik: “Nga data 31 mars deri më 4–5 prill pritet rënie e temperaturave minimale në vlera negative gjatë orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për ngrica pranverore (frost). Këto kushte paraqesin rrezik për sektorin e pemëtarisë, veçanërisht për kulturat në fazën e lulëzimit”, ka thënë IHMK.

Instituti ka dhënë edhe disa rekomandime për fermerët.

“Krijimi i shtresës mbrojtëse me tym (smudging) për të reduktuar ftohjen gjatë natës, monitorimi i vazhdueshëm i temperaturave dhe parashikimeve, si dhe ndërmarrja e veprimeve të tjera bazuar në përvojën vetanake të bujqve. Zbatimi në kohë i këtyre masave mund të zvogëlojë ndjeshëm dëmet dhe të ruajë prodhimin bujqësor”, ka theksuar IHMK.

Asnjë koment

Comments are closed.