22-11-2024

Paralajmërohet ulja e pagave në Telekomin e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se mund të ketë nivelizim të pagave për punëtorët e Telekomit të Kosovës.

Besnik Krasniqi, udhëheqës i Njësisë për politika dhe monitorimin e ndërmarrjeve publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se shuma e përgjithshme e mjeteve për paga mujore nuk mund të kalojë 40 për qind të qarkullimit të kompanisë.

“Në muajin korrik rreth 2.5 milionë euro janë shpenzuar vetëm për paga në muaj, tashmë kemi mbi 2 milionë euro. Janë mbi 400 mijë euro kursime mujore në paga. Ndërsa në Planin e rimëkëmbjes së Telekomit, (plan ky që është përgatitur nga menaxhmeti së bashku me Bordin e drejtorëve) është paraparë që pagat e tyre të mos kalojnë mbi 1.6 milion euro në muaj”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Lexo edhe:

Tërmet sërish në Prizren dhe Kosovë

Paga mesatare nga 900 në 600 euro

Telekomi, që është pronë e Qeverisë së Kosovës, ka vite që ballafaqohet me probleme të mëdha financiare, kurse një nga arsyet e kësaj situate, sipas Krasniqit, është edhe mbipunësimi dhe pagat e larta. Mbi 2,300 është numri i punonjësve në këtë kompani. Faza e parë e uljes së pagave në Telekom ka ndodhur në pjesën e parë të këtij viti.

“Realisht do bëhet një nivelizim i pagave, pasi në Telekom ka një diskrepancë të pagave, varësisht nga grada. Nuk besoj se do të ulet te niveli punëtorëve, por do të ulen te menaxhmeti i lartë dhe zyrtarë të tjerë që kanë pasur paga marramendëse, krahasuar me të hyrat edhe të zyrtarëve të lartë të qeverisë. Paga mesatare në Telekom duhet të jetë 602 euro, aktualisht është 902 paga mesatare. Kurse para uljes së pagës në fazën e parë, paga ka qenë 1,200 euro”, thekson Krasniqi.

Balaj: Nuk pranojmë ulje të pagave

Në formularin për deklarimin e pasurisë, të publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, vërehet se paga vjetore e drejtorit të Telekomit është 21 mijë euro, apo 1,750 euro në muaj.

Por, Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit, thotë se nuk kanë informacione për nivelizim të pagave, njëherësh thotë ai, nuk do pranohet asnjë ulje e mëtutjeshme.

Federata, shprehet ai, ka kërkuar që me ristrukturim të bëhet nivelizimi i pagave. Ai tregon se me ristrukturim mund të shuhen pozitat e panevojshme menaxheriale, që sipas tij, janë shpikur vetëm për persona të caktuar, me paga të mëdha dhe pa kualifikime.

Punëtorët, thotë Balaj, nuk mund të paguajnë dëmet që qeveria shkakton me kontrata të paleverdishme.

Me këtë Balaj aludon në kontratën e Telekomit me kompaninë Dardafon.net, e njohur me emrin tregtar Z-Mobile. Kjo e fundit që nga data 6 nëntor, ka bllokuar llogaritë, pasi Telekomi ka borxh mbi 25 milionë euro kësaj kompanie. Në këtë mënyrë, rreth 2,300 punëtorë kanë mbetur pa marrë pagat e muajit tetor.

“Ne kemi marrë premtim nga Qeveria e Kosovës, që brenda dy ditësh të zhbllokohen llogaritë. Është kompetencë e qeverisë se si do të arrihet marrëveshja. Ne kemi kërkuar shumë herë që përgjegjësinë për situatën në Telekom ta marrë Qeveria e Kosovës sepse ata janë përgjegjës për të gjitha këto”, thekson Balaj.

Z-Mobile vazhdon të mbajë të bllokuara llogaritë e Telekomit

Besnik Krasniqi nga Ministria e Ekonomisë tregon se Z- Mobile, deri më tani ka arritur të marrë 6 milionë euro nga llogaritë e Telekomit. Aktualisht është duke bërë u bërë përpjekje për të arritur marrëveshje me kompaninë Dardafon.net për kthimin e borxhit.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të kontaktojë pronarin e Dardafon.net, Blerim Devollin për këtë çështje, por ka qenë e pamundur.

Marrëveshja e vitit 2009 me “Dardafon.net LLC” i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile ka kërkuar numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.

Kontrata në vazhdimësi është konsideruar si e dëmshme, por si e tillë ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës pati marrë vendim për shkëputjen e saj.

Telekomi i Kosovës është ndërmarrje publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi./REL

Asnjë koment

Comments are closed.