Parandalohet kontrabanda e nark:otikëve në burgun e Dubravës
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm parandalues kundër një tentative për futje të kontrabandës në zonën sterile të Qendrës korrektuese në Dubravë.
Gjatë kontrollit janë zbuluar pesë qese të zeza, të mbështjella dhe të izoluara me një ngjitës të tejdukshëm.
Qeset janë lokalizuar dhe brenda tyre janë gjetur:
• Lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në disa njësi, me peshë të përgjithshme prej 98 gramësh (me mbështjellës);

• Pesë telefona të markës Samsung, prej të cilëve njëri kishte SIM kartelë të vendosur të operatorit IPKO, si edhe dy SIM kartela të papërdorura të të njëjtit operator.

“Ky operacion, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Njësisë së inteligjencës, Departamentit të sigurisë së QK Dubravë dhe zyrtarëve përgjegjës të sigurisë, dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës për të parandaluar çdo përpjekje për futjen e kontrabandës dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar brenda institucioneve korrektuese.
Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e masave të rrepta të kontrollit, me qëllim parandalimin e çdo tentative për futje të paligjshme të materialeve të ndaluara brenda institucioneve korrektuese”, thuhet në njoftim të SHKK-së.