Në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Reçan të Prizrenit krahas rritjes së stafit paralajmërohet edhe fillimi i shërbimit për analiza laboratorike, në mënyrë që banorët e kësaj ane të mos kenë nevojë të udhëtojnë deri në qytet për shërbime bazike, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Kjo qendër shëndetësore ka numër të vogël të stafit dhe shërbimeve, ndërsa duhet t’i shërbejë rreth 13,000 banorëve të rajonit të Zhupës.
Gjatë një vizite në këtë QMF, drejtori për Shëndetësisë, Visar Shehu, është njohur me gjendjen dhe nevojat e popullatës së kësaj zone malore.
Në njoftimin e komunës, thuhet se shpejti aty do të ofrohen shërbimet për analiza laboratorike, dhe me rritjen e numrit të stafit dhe të shërbimeve, do të mundësojë që banorët e kësaj ane shërbimet t’i kenë sa më afër./GazetaePrizrenit.net/