Parashikimi i motit për të hënën, 26.01.2026
Të hënën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje lokale shiu që në orët e para të 24-orëshit.
Reshjet në zona të caktuara pritet të jenë në formë të rrebesheve, ndërsa gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, pritet të përqendrohen në Rrafshin e Kosovës, sidomos në lindje të vendit, ku ka mundësi edhe për vërshime. Po ashtu, mund të ketë vetëtimë dhe bubullimë.
Si pasojë e prezencës së pluhurit saharian, reshjet do të jenë të përziera me baltë. Gjatë pasdites, me depërtimin e frontit të ftohtë, pluhuri do të tërhiqet, duke përmirësuar gradualisht cilësinë e ajrit.

Era do të fryjë kryesisht nga juglindja, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme në disa zona të Rrafshit të Kosovës, me shpejtësi prej 15-48 km/h. Me depërtimin e frontit të ftohtë orëve të pasdites, drejtimi i erës do të zhvendoset nga veriperëndimi.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 8 deri në 11 °C./MK

