Gjatë ditës do të nisë depërtimi gradual i masave të ftohta ajrore, fillimisht në verilindje të vendit, ku pritet të shfaqet shi i ngrirë, e më pas reshjet do të shndërrohen në borë.

Deri vonë në mbrëmje, përkatësisht rreth mesnatës, masat e ftohta polare do të shtrihen në të gjithë territorin, duke bërë që reshjet e shiut të shndërrohen në borë në gjithë vendin. Të reshurat herë pas here pritet të shoqërohen me disa shkarkesa rrufesh në intervale të ndryshme kohore.
Si pasojë e gjendjes së rënduar nga përmbytjet, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit, situata pritet të përkeqësohet edhe më tej.
![]()
Kujdes nga shiu i ngrirë, veçanërisht në verilindje të vendit. Shiu i ngrirë është një formë reshjeje ku pika të ujit bien në tokë ende në formë të lëngshme, por ngrijnë në momentin që prekin sipërfaqe nën 0°C. Ky fenomen formon një shtresë të rrezikshme akulli mbi rrugë, pemë, kabllo dhe objekte të tjera, duke shkaktuar rreziqe për qarkullim dhe mundësi dëmesh.

Era fillimisht do të fryjë nga juglindja, por me depërtimin e masave të ftohta do të zhvendoset nga veriu, ndërsa në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15–57 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 13°C. Në verilindje, temperaturat më të larta do të regjistrohen në orët e mëngjesit, për të pësuar ulje të dukshme më vonë, duke hyrë në vlera negative gjatë pasditës.
Në pjesët e tjera të vendit, rënia e temperaturave do të ndodhë gradualisht gjatë ditës e deri në mbrëmje, kur pritet të përfshijë edhe jugun e Kosovës. /MK

