Parashikimi i motit për të premten, 22.08.2025
Të premten parashikohet që nga orët e para të ditës e deri në mëngjes, pritet depërtimi i një sistemi frontal, i cili do të shoqërohet me rrebeshe shiu, shkarkesa të fuqishme rrufesh, lokalisht edhe me breshër dhe erëra të forta. Në disa zona reshjet do të jenë më intensive, me mundësi për vërshime të shpejta.
Gjatë ditës do të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa do të zhvillohen sërish sisteme stuhish që do të sjellin rrebeshe lokale shiu, shkarkesa të fuqishme rrufesh dhe breshër. Në momente dhe zona të caktuara, stuhitë do të shoqërohen edhe me erëra me forcë uraganike (119 km/h).
Pra, era do të fryjë kryesisht nga perëndimi dhe jugperëndimi, ndërsa në momente të caktuara pritet të arrijë forcë uraganike, me shpejtësi prej 30 deri në 120 km/h. Shpejtësia e erës deri në 120 km/h mund të sjellë dëmtime në çati e struktura, rrëzim të pemëve, ndërprerje të energjisë si dhe vështirësi të mëdha në komunikacion.
Temperaturat minimale do të sillen nga 17 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale nga 25 deri në 28°C. Gjatë periudhave me reshje, si dhe vonë pasdite, parashihet ulje e ndjeshme e temperaturave nën 20°C., njofton MeteoKosova përcjell Gazeta e Prizrenit.