Parashikimi i motit për të premten – 22.11.
Për të premten parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët, ku pritet të rikthehen reshjet e shiut që nga orët e para të 24-orëshit, fillimisht të përqëndruara në perëndim dhe jugperëndim të vendit, ndërsa në orët vijuese të mëngjesit, reshjet do të fillojnë të shtrihen edhe në zonat e tjera.
Gjatë orëve të pasditës do të arrijë fronti i fuqishëm, i cili do të sjellë reshje të dendura shiu dhe bore, të shoqëruara lokalisht me shkarkesa rrufesh. Pra, fillimisht do të jenë në formë të shiut, ndërsa pas kalimit të frontit pritet të shndërrohen në ato të borës.
Si pasojë e reshjeve të fuqishme të shiut, lokalisht mund të ketë edhe vërshime, sidomos në zonën perëndimore dhe jugperëndimore.
Reshjet e borës pritet të shtrihen më shumë në mbrëmje dhe sërish do të jenë më të përqëndruara në Rrafshin e Kosovës, ndërsa në disa pjesë të Dukagjinit do të jetë më problematike, megjithatë nuk përjashtohet mundësia edhe atje për borë.
Era do të fryjë nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit, ndërsa me ardhjen e frontit të ftohtë do të zhvendoset nga drejtimi i veriut, e cila kohë pas kohe pritet të jetë jashtëzakonisht e fuqishme, me shpejtësi prej 20-90 km/h, e në zonat malore edhe mbi 100 km/h. Priten dëme materiale dhe jo vetëm.
Temperaturat do të shënojnë fillimisht ngritje, ndërsa me ardhjen e frontit të ftohtë gjatë pasditës e deri në mbrëmje, do të pësojnë zbritje të shpejtë. Minimalet do të lëvizin prej -3 deri në 0°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 14°C. /MK