24-11-2024

Parkingu i komunës së Rahovecit, pa pagesë për mërgimtarët

​Shumica e veturave në parkingun e komunës së Rahovecit janë me tabela të bashkatdhetarëve, e shumë pak me tabela vendore.

Kjo për shkak se kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, për t’u bërë nder dhe për të treguar respekt ndaj mërgimtarëve, ua liroi parkingun duke ua bërë pa pagesë përmes një vendimi që mori.

Ndërsa, ua ndaloi punëtorëve të komunës hyrjen në këtë parking. Ky vendim do të jetë në fuqi për një muaj.

Mërgimtarët e mirëpresin këtë veprim pasi që thonë se për shkak të mungesës së parkingjeve, e kanë pasur vështirë t’i parkojnë veturat e tyre.

Por, punëtorët, të cilët nuk pranuan në flasin prapa kamerave, thonë se komuna së pari duhet t’ua marrë nga menaxhimi parkingun Shoqatave të dala nga Lufta, pastaj të marrin vendime të tilla, raporton KTV.

Kjo pasi që shoqatat e luftës marrin edhe pension nga buxheti, ndërsa vetë punëtorët duhet t’ua paguajnë parkingun atyre, madje edhe drejtorët.
Sidoqoftë, ky është vendimi i dytë brenda vitit që ka marrë kryetari për parkimin e veturave për bashkatdhetarët.

 

Asnjë koment

Comments are closed.