Parlamenti Studentor dorëzon kallëzim penal ndaj anëtarëve të KD të UPZ-së
Parlamenti Studentor (PS) i UPZ-së ka dorëzuar në Prokurori kallëzim penal ndaj anëtarëve të Këshillit Drejtues (KD) të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Kallëzim është dorëzuar nga kryetari i Parlamentit Studentor, Milot Krasniqi, ndaj katër anëtarëve të KD-së: Bedri Muhadrit, Isak Hoxhës, Parim Kosovës dhe Soner Yildirimit.
Në një postim në “Facebook”, nga PS thuhet se ata, “me datë 21.12.2018, në një mbledhje pa kuorum, me vetëdije të plotë kanë vepruar kundërligjshëm, duke e keqpërdorur pozitën zyrtare, ku kanë lëshuar një vendim për zgjedhjen e u.d Rektorit të UPZ-së”.
“Ne besojmë fuqishem ne Organet e Drejtesisë së Republikës së Kosovës dhe presim që jo vetëm të anulohen këto vendime të jashtëligjshme të KD-së nga organet përkatëse, por këta shkelës kontinuel të ligjit të vendosen para drejtesise dhe të marrin dënimet meritore.Ne nuk do të ndalemi deri në zbatim të ligjshmërisë dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha alternativat ligjore që në UPZ të rikthehet normalitetit”, thuhet aty.