Parlamenti Studentor i UPZ-së: Nuk pranojmë rektor të kundërligjshëm
Parlamenti Studentor i UPZ-së: Nuk pranojmë rektor të kundërligjshëm
Përfaqësuesëve të Parlamentit Studentor të Univeristeti të Prizrenit “Ukshin Hoti” gjatë takimit të sotëm me kryesuesin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti, Bedri Muhadri, i’u është kërkuar që të heqin dorë nga protestat dhe t’i pranojnë vendimet ashtu sic janë, por se sipas tyre nuk do të heqin dorë pavarësisht kërkesës së tij.
“Sot disa nga përfaqësuesit e Parlamentit Studentor u ftuan në takim nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues z.Bedri Muhadri, për të diskutuar rreth situatës së krijuar dje në Universitet dhe për zhvillimet e fundit. Kryesuesi e pohoi që janë nën presionin konstant të politikës, madje shtoi që ne jemi në Universitet me mision politik dhe kërkoi nga ne që të heqim dorë nga forma e protestës dhe t’i pranojmë vendimet e kundërligjshme që po synojnë ti sjellin në Universitet”, ka njoftuar Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti përmës një postimi në profilin zyrtar në “Facebook”.
Sipas tyre, Muhadri u ka thënë që në mbledhjen e radhës do të ketë masa të shtuara të sigurisë. “Duke aluduar kështu që Policia e Kosovës do të jetë në numër të madh gjatë mbledhjes së ardhshme, ku ata do të synojnë ta zgjedhin ushtrues të detyrës së Rektorit një profesor, të cilit gjykata ja ka pezulluar vendimin për të qenë Rektor.
I bëjmë me dije Kryesuesit, anëtarëve tjerë të Këshillit Drejtues si dhe udhëheqësve të MASHT-it, që ne qëndrojmë të palëkundur karshi kërkesave tona. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë Rektor të dhunshëm dhe të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim. Parlamenti po ashtu ka thënë se sa i përket masave të sigurisë dhe tendencës për t’i frikësuar, ata nuk do të heqin dorë.
“Ta dini mirë se studentët e këtij vendi janë përballur edhe me forcat policore të okupatorit, por asnjëherë nuk janë zbrapsur. Jemi të vendosur për ligjshmëri dhe çdo tentim i juaji për të na lajthitur është i kotë.G jithashtu ju njoftojmë që ky takim është audio-inçizuar dhe për të gjitha këto që u cekën më lartë ekzistojnë dëshmi.
Ne i bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit Drejtues nga radhët e Senatit që të distancohen nga veprimet skandaloze të anëtarëve tjerë të MASHT-it dhe ta bojkotojnë këtë mbledhje, në të kundërtën do të jenë bashkëfajtorë po aq sa ata dhe do të përballen me mllefin e studentëve”, përfundon njoftimi.
KALLXO.com dje kishte raportuar se Parlamenti Studentor i universitetit ‘Ukshin Hoti’, ka reaguar duke e ndërprerë mbledhjen e Këshillit Drejtues në të cilën në rend dite ishte zgjedhja e një ushtruesi të detyrës së rektorit.