25-11-2024

Pas ngordhjes së peshqve në Drin, Inspektoriati: Situata nuk ndryshon po nuk u ndërtua impanti

Uji në lumin Drini i Bardhë të Prizrenit nuk është i helmuar. Ngordhja e peshqve vlerësohet të ketë ndodhur si pasojë e ujit të ndotur nga derdhja e ujërave të zeza të Prizrenit, në pjesën ku Lumbardhi i bashkohet Drinit.

Inspektorati nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka sqaruar për Top Channel se kjo ndodh  çdo vit në periudhën e njëjtë, pasi ulet sasia e ujit në lum dhe rritet sasia e ujërave të zeza.

“Unë besoj që edhe banorët e dinë që bie rrjedha e Drinit në këtë periudhë dhe të gjithë e din se të gjithë kanalizimet e qytetit të Prizrenit derdhen aty, dhe derisa nuk kemi impiant për trajtimin e ujërave të zeza, Prizreni edhe në këtë periudhë kohore por edhe viteve të tjera do të na përsëritet nëse nuk ndërtohet impianti. Nëse themi si zgjidhet ky problem? Mund të them vetëm kur të ndërtohet impianti sepse këto ujëra nuk kanë ku të derdhen”, është shprehur inspektori i mjedisit, Mustafë Hyseni.

Ndërsa raportimet se po i njëjti lum u bë shkak i ngordhjes së bagëtisë, është hedhur poshtë pas rezultateve që treguan për shenja të sëmundjeve shtazore.

Me gjithë alarmin e ndezur, banorët e zonës vazhdojnë t’i kullosin bagëtitë buzë Drinit.

Ujërat e zeza nuk pritet të paraqesin problem për banorët e Kukësit, për shkak të largësisë, si dhe shtimit të sasisë së ujit nga Drini i Zi përveç burimit të Drinit të Bardhë./TCH

Asnjë koment

Comments are closed.