Pas nxehtit afrikan, ulje e temperaturave dhe stuhi – ja çfarë pritet të ndodhë këtë javë
Më në fund gjatë kësaj jave do të kemi ndryshim e motit, i cili do të ndikohet nga masa të paqëndrueshme atmosferike dhe më të freskëta.
Nga dita e mërkurë do të ndryshoj situata meteorologjike, ku pritet të kemi depërtimin e masave të ftohta nga veriperëndimi i kontinentit.
Fillimisht parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet gradualisht të ketë rrebeshe lokale shiu, breshër e shkarkesa rrufesh.
Gjatë kalimit të frontit, priten edhe erëra jashtëzakonisht të forta, me shpejtësi maksimale deri në 80 km/h në zona të caktuara, të cilat mund të shkaktojnë edhe dëme materiale. Temperaturat do të pësojnë ulje diku për 15°C. Reshjet parashikohet të përfshijnë të gjithë vendin, mirëpo intensiteti do të jetë i ndryshueshëm nga vendi në vend.
Të enjten dhe të premten parashihet mot me diell dhe vranësira, përderisa të enjten nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar, kryesisht në sasi të pakta. Do të jetë mot më i freskët.
Në fundjavë mot kryesisht me diell dhe ngritje e temperaturave.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos të mërkurën, e cila në rajone të caktuara pritet të arrijë një shpejtësi prej 80 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 12 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 34°C.
Vlerat më të larta maksimale parashihen në fillim të javës dhe krejtësisht në fundjavë, konkretisht të dielën, njofton MeteoKosova percjell Gazeta e Prizrenit.