25-11-2024

Pas privatizimit zgjatet me 13 vjet koncesioni i Aeroportit, “Kastrati” ul tarifat për pasagjerët

Qeveria ka miratuar zgjatjen e kontratës koncesionare të Aeroportit “Nënë Tereza” edhe për 13 vjet të tjera.
Në kontratën e parë të nënshkruar në vitin 2004 parashikohet një koncesion prej 22 vitesh. Projektligji i cili ka mbërritur në parlament e zgjat koncesionin në 35 vite duke i dhënë mundësi kompanisë shqiptare “Kastrati” që në vitet e ardhshme të investojë 99 milionë euro për zgjerimin e aeroportit.

Më konkretisht, parashikohet zgjatimi i pistës së aeroportit dhe zgjerimi i zonës së terminalit për pasagjerët. Ndërkohë, kompania “Kastrati” menjëherë pas privatizimit uli me 20% tarifat për pasagjerët e rritur dhe 40% për fëmijët.

 

Investimet e reja në aeroport

Kujtojmë se, më 1 dhjetor të vitit që lamë pas u firmos marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe grupit kinez “Real Fortress Private Limited”, marrëveshje e cila i kalon 100% të aksioneve “Kastrati Group”, për vlerën e 71 milionë eurove. Kompania shqiptare do të paguajë fillimisht 15 milionë euro si pagesë fillestare, teksa pjesa tjetër e vlerës për mbylljen e procesit.

Vendimi për blerjen është zyrtarizuar pasi transaksioni është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Aeroporti është menaxhuar fillimisht nga gjermanët, për t’i kaluar më pas grupit kinez dhe së fundmi një kompanie shqiptare, ku debate kryesor kanë qenë gjithnjë tarifat e larta dhe kushtet për funksionimin e aeroporteve të tjera në vend.

Që prej vitit 2004 kur aeroporti menaxhohej nga gjermanët, e më pas nga 2016 ku administrimi i kaloi grupit kinez të cilët blenë aksionet e aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” qeveria bëri disa tentativa për të ndryshuar kushtet e kontratës, në mënyrë që t’u hiqe ekskluziviteti kompanive koncesionare të cilat bëheshin pengesë për hapjen e aeroporteve të tjera.
Diçka e cila u arrit pjesërisht katër vite më parë përmes një marrëveshje mes qeverisë dhe grupit kinez.

Aviacioni është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia për shkak të masave bllokuese dhe kufizimeve që kanë ndjekur shtetet.

Por, deri një vit më parë Aeroporti i Rinasit rezultonte një ndër sipërmarrjet me fitimet më të larta me rreth 7 miliardë lekë të ardhura në fund të 2019-ës. Aeroporti i Rinas është i vetmi funksional në Shqipëri, teksa pritet që në pranverën e vitit të ardhshëm të nisë operimin edhe i Kukësit. /Top Channel

Asnjë koment

Comments are closed.