Pas sekuestrimit të mbi 4 kg kokaine në Prizren, arrestime në pikëkalimin Han i Elezit
Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar më 16 gusht 2025 nga Policia e Kosovës, duke rezultuar me arrestimin edhe të dy personave që lidhen me aksionin e datës 12 gusht në Prizren, si pasojë e të cilit ishte arrestuar edhe një person tjetër.
Gazeta Sinjali merr vesh se sot në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, janë arrestuar: Isak Hosmeni, Elmedina Rexhepi, ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar edhe dy automjete, një me targa belge dhe tjetra me targa vendore.
Për të njëjtin rast, më 12 gusht është arrestuar edhe Hivzi Krabaj, rast për të cilin ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali. Ndaj tij është caktuar edhe masa e paraburgimit.
Me urdhër të Prokurorit, janë bastisur dy banesa të tij, ku u gjetën dhe sekuestruan: 4 kg e 440 gram kokainë, dy peshore digjitale, 260 euro para të gatshme, si dhe dëshmi të tjera relevante për hetim.
Lexo edhe;
Editorial: A e injoroi Shaqir Totaj – Hasin, asnjë kandidat në top-10 të listës së PDK-së
Të tre personat janë nën hetim për veprën penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.