24-11-2024

Ndonëse festë zyrtare në Prizren, “Dita e Verës” pa ndonjë aktivitet

14 marsi, që njihet si “Dita e Verës” shënohet edhe në rajonin e Prizrenit.  Për dallim nga ditët e mëparshme, madje edhe ato të mesit e fundit të muajit shkurt, kur moti ishte si në pranverë, me temperatura deri në 18 gradë Celsius, sot Dita e Verës ngjan si ditë dimri, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sot priten edhe reshje, kryesisht në formë shiu, por edhe do të ketë kushte për fjolla bore. Temperaturat minimale do të shënojnë -3 gradë celsius, ndërsa ato maksimalet deri në 7 gradë celsius.

Ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. Kjo festë tradicionale është më e  theksuar në fshatrat e Hasit, Vërrinit, Lumës dhe të Opojës.

Në anën tjetër, ndonëse “Dita e Verës” është shpallur si festë zyrtare në Prizren, pavarësisht se nuk është ditë pushimi, për këtë nuk ka ndonjë aktivitet të paralajmëruar nga institucionet lokale.

Pikërisht dy vjet më parë, Kuvendi i Komunës së Prizrenit e ka shpallur “Ditën e Verës” si festë zyrtare.

“Më 14 mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, është theksuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit më 23 shkurt 2017, kur u mor vendimi për shpalljen e saj festë zyrtare.

Kjo ditë në viset shqiptare në mënyrë më madhështore, shënohet në Elbasan. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.