24-11-2024

PDK e quan skandal injorimin e gjuhës shqipe nga Komuna e Prizrenit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pjesë e opozitës në Prizren, ka reaguar ndaj rangimit si dytësore të gjuhës shqipe, pas asaj  turke, në një mbishkrim në një tend të ekspozuar në qendër të Prizrenit, gjatë një aktivitet i që mban logon e Komunës së Prizrenit, duke e quajtur këtë skandal,  dhe se për këtë ka kërkuar shkarkimin urgjent të drejtorit komunal të Kulturës, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Gjatë ditës është organizuar një aktivitet nga një organizatë joqeveritare,  duke promovuar kafenë turke, ndërsa në një tendë në radhë të parë qëndronte mbishkrimi  në turqisht “Bir Türk Kahvesi”,  e pastaj ‘Një kafe turke”.

Në një kumtesë për shtyp, thuhet se qeverisja komunale, sot paska bërë skandalin e radhës, ku në qytetin ku jeton mbi 90 % shumicë shqiptare, gjuha jonë shqipe përbuzet, duke u radhitur në mbishkrim si gjuhë dytësore.

“Nuk e dimë nëse po jetojmë në Turqi apo në Kosovë, ku me veprimet e tilla nga të paditurit, ja humbin edhe vlerat Prizrenit. Në qytetin e artit, të kulturës, sportit, dijes, shkencës, në qytetin e tolerancës ndërfetare dhe të bashkëjetesës, të bëhen skandale të tilla, është injorim i madh dhe përbuzje që po bëhet qëllimshëm prej këtyre injorantëve”, vazhdon kumtesa e PDK-së, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Më tej thuhet se të veprohet kësisoj në qytetin e djepit të kulturës e në Kryeqytetin historik të shqiptarisë,  ku ndër shekuj gjatë historisë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të bëhen veprime të tilla është skandaloze, ku për çlirimin dhe pavarësinë e vendit, ata që dhanë më së shumti duke mos kursyer as jetët e tyre, nga veprimet e sotme idioteske, është përpjekje për ta njollosësh historinë tonë të lavdishme të shkruar me gjak ndër shekuj.

“Askush nuk e ka menduar se do të vjen kjo ditë, që Prizrenin do ta udhëheqin të paditurit dhe injorantët,  që nuk e dinë as historinë e vendit të tyre. Besojmë që prizrenasit tashmë janë bindur definitivisht se për kënd kanë votuar, për ta udhëhequr qytetin më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Për këtë PDK kërkon që menjëherë kryetari i komunës së Prizrenit, dhe kryetari i degës së subjektit politik prej nga vjen drejtori i DKRS-së Ehat Oreshka, ta shkarkojnë urgjentisht atë. /GazetaePrizrenit.net/.

 

Asnjë koment

Comments are closed.