PDK e vlerëson konkursin për drejtorë dështim të qeverisjes Haskuka, paralajmëron mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit
Dega e PDK-së në Prizren, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në arsimin prizrenas, pas shpalljes së rezultateve në konkursin e ripërsëritur të Drejtorisë Komunale të Arsimit për drejtorë e zv.drejtorë të shkollave, të cilin ky subjekt opozitar e ka vlerësuar si një dështim të radhës, të qeverisjes Haksuka, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Përmes një kumtese, PDK thotë se e tëra ka ardhur si pasojë e pazareve politike të përcjellë që nga fushata parazgjedhore.
“Ky veprim është edhe një dështim i radhës i Qeverisë pa identitet, Haskuka, i cili që nga ardhja në krye të Komunës së Prizrenit, nuk ka realizuar asnjë premtim të tij.Kryetari Haskuka përmes përzgjedhjes së drejtorëve nëpër disa prej shkollave të komunës së Prizrenit, ka shkelur premtimet e veta për gjoja depolitizimin e arsimit, dhe po ashtu ka fyer qytetarët e Prizrenit, personelin arsimor dhe prindërit e nxënësve të shkollave të qytetit. Ai, dhe hisedarët e tij mbajnë përgjegjësi politike dhe qytetare, për vendimet që edhe përmes këtij konkursi ta instrumentalizoj dhe ideoligjizojë shkollën, tempullin e diturisë”, thuhet në komunikatë.
Sipas PDK-së, së pari, u zhvillua konkursi dhe u publikuan të ranguarit në listën e përzgjedhur, por pas shumë shantazheve të partnerëve të koalicionit dhe militantëve të VV-së, ai konkurs u anulua. “Pas përsëritjes të së njëjtit konkurs, ditën e fundit të skadimit të afatit ligjor, u publikua lista e të përzgjedhurve nga komisioni për drejtorë e zv.drejtorë, proces i shantazhuar nga një pjesë e këtij koalicioni të panatyrshëm, i kushtëzuar me votimin e buxhetit të paralajmëruar për vitin 2019”, thuhet ndë të tjera.
PDK në Prizren, fton konceptin institucional të LDK-së, si partnerë të koalicionit qeveritar, të dalë me qëndrim të çartë politik për këtë proces të fundosur në pazarllëqet politike e familjare.
PDK në Prizren, shprehet se shqetësuar me këto zhvillime antiligjore të keq qeverisjes, do t’i ndjek të gjitha rrugët legale, sic thuhet “për të demaskuar pafuqinë e Mytës, përballë militantëve partiak që udhëheqësit e shkollave i konsiderojnë menaxher të Qendrave të Vendvotimeve”.
Ky subjekt ka njoftuar se që nga sot do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, për ta debatuar këtë temë të rëndësisë së veçantë./GazetaePrizrenit.net/