25-11-2024

PDK javën e ardhshme zgjedh kryetarin e ri të degës

Dega e PDK-së në Prizren, sot ka mbajtur një konferencë shtypi, lidhur me zhvillimet e procesit zgjedhor të saj, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Kryetari i komisionit zgjedhor në degën, Samir Hoxha me këtë rast shprehu falenderim, konsideratë dhe vlerësim maksimal për të gjithë aktivistët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së në degën e Prizrenit, për kulturën e lartë politike, përkushtimin, devotshmërinë si dhe angazhimin, të cilin e kanë treguar që nga fillimi i këtij procesi zgjedhor brenda-partiak e deri më sot.

“Me një angazhim, seriozitet dhe përkushtim maksimal, Komisioni Lokal i Degës së PDK-së në Prizren, duke respektuar në plotni statutin, rregulloret si dhe udhëzuesin për organizimin e zgjedhjeve, ka organizuar dhe ka mbajtur 47 Kuvende zgjedhore në të gjitha nëndegët e PDK-së në Komunën e Prizrenit. Procesi zgjedhor në Degën e PDK-së në Prizren, është shquar për unitet politik dhe thellimin e demokracisë politike brenda-partiake”, tha ai.

Më tutje Hoxha tha se gjatë kësaj periudhe në të cilën janë mbajtur zgjedhjet nëpër nëndegët e PDK-së, procesit zgjedhor i janë nënshtruar gjithsej 8.542 anëtarë dhe aktivistë të PDK-së në degën e Prizrenit.

Në të gjitha nëndegët të cilat janë mbajtur zgjedhjet, kemi prurje të reja si dhe forcim të kuadrove në të gjitha nivelet organizative. Ky proces zgjedhor ka dëshmuar edhe njëherë përkushtimin e anëtarësisë për kauzën e “Dekadës së Re’’ dhe vizionin politik të kryetarit të PDK-së z. Kadri Veselit.

Fotografia e Samir Hoxha

Sipas Hoxhës, me këto zgjedhje, është forcuar kursi reformator në PDK, dhe me strukturat e reja do të jemi të përgatitur për t’a rikthyer qeverisjen lokale, e cila fatkeqësisht po drejtohet nga anarkistë e matrapazë politik, të cilët çdo ditë e më shumë po mbysin shpresat e qytetarëve të Komunës së Prizrenit.

“Ky proces zgjedhor ka ridëshmuar se vetëm nën qeverisjen e PDK-së, Prizreni do të ketë zhvillim, integrim e besim në institucione, investime në dobitë e interesave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit. PDK-ja, si forca vendimtare politike e Kosovës në 20 vitet e fundit, edhe në këto zgjedhje brenda partiake, ka dëshmuar kulturë politike, demokraci të brendshme dhe natyrisht vlera shtet-ndërtuese, të cilat i kemi ngritur me shumë mund e sacrifice, gjatë dy dekadave që lamë pas” shtoi Hoxha.

Ai në fund tha se “në zbatim të plotë të rregullores për organizimin e zgjedhjeve në PDK, Komisioni Lokal Zgjedhor i Degës së PDK-së në Prizren, ka vendosr që Konventa zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës në degën e Prizrenit, të mbahet me 13 prill 2019.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit, ai shpalli të hapur mundësinë që kandidatët pretendent për drejtimin e degës së Prizrenit t’i paraqesin kandidaturat e tyre pranë Komisionit Lokal Zgjedhor”./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.