25-11-2024

PDK: Liria në krizë të thellë, buzë humnerës

Partia Demokratike e Kosovës dega në Prizren, në një komunikatë, siç thuhet është jashtëzakonisht e shqetësuar me zhvillimet e fundit në sportin prizrenas, veçanërisht në krenarinë e futbollit të Prizrenit në Klubin “Liria”.

Në reagimin e saj thuhet:

“Ky klub, falë mbështetjes së madhe që ka gëzuar në vitet 2015, 2016 dhe 2017 nga qeveria lokale, dhe e udhëhequr nga sportistë të dalluar të gjeneratave të kaluara, ishte rikthyer fuqishëm në elitën e futbollit kosovar, duke treguar suksese të njëpasnjëshme si një klub i cili filloi të jetë shumë i qëndrueshëm me një menaxhment të suksesshëm, dhe një ekip të organizuar mirë, me një trajner i cili dëshmoi se futbolli në Prizren ka potencial të madh.

Fatkeqësisht, sot  KF “Liria” është në krizë të thellë, buzë humnerës, lojtarët pa paga, pa trajner, në prag të rënies nga Superliga e Kosovës në futboll. Nuk mbahet në mend që futbolli prizrenas dhe “Liria” të ketë qenë në këtë gjendje më të keqe ndonjëherë.

Si rezultat i ndërhyrjeve politike në krye të klubit ka ardhur një kandidat i dështuar në garën për kuvendin komunal, një amator i cili ishte larguar nga puna e inkasantit në KEDS për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Avazin e njejtë të keqpërdorimit të detyrës së menaxherit po e keqpërdor edhe sot, duke shpërdorur detyrën e kryetarit të klubit dhe fondin e ndarë nga Kuvendi Komunal, për njerëzit e afërt me partinë e tij, dhe se kryesinë e klubit dhe klubin e ka mbushur me militantë, duke larguar ata të cilët me dekada e kanë mbajtur gjallë futbollin dhe klubin “Liria”.

PDK dega në Prizren, i bën thirrje kryetarit të kapur nga “partnerët” e tij të koalicionit, që mos të hesht e mos të lejojë që para syve të tij, të pushtohet sporti prizrenas nga militantët partiak, të cilët sportin janë duke e shkatërruar me shpejtësi të madhe, po ashtu, i bëjmë thirrje kuvendarëve të zgjedhur që të marrin vendime e ta shkarkojnë menaxhmentin e klubit, sepse në fund të fundit klubi është nën menaxhimin dhe financimin e kuvendit komunal, dhe se kuvendarët janë ata të cilët në këto momente duhet të veprojnë, e mos të lejojnë këtë katrahurë të ndodhë, nga ata të cilët asnjëherë nuk i kanë dhënë sportit në Prizren, por përkundrazi janë duke e vjelur edhe fondin edhe donacionet e ndara për klubin”, thuhet në fund të komunikatës së PDK-së./GazetaePrizren.net

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.