PDK në Prizren njofton për arrestimin edhe të një aktivisti tjetër të Vetëvendosjes për “blerje votash”
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka njoftuar se brenda një ore në Qendrën e Votimit 2003a në Prizren, janë arrestuar dy persona, të cilët, sipas PDK-së, janë aktivistë të Vetëvendosjes.
Kjo parti thotë se ata janë zunë në flagrancë duke blerë vota.
Ndaj këtyre veprimeve, PDK-ja, dega në Prizren, ka thënë se ka intervenuar Policia e Kosovës dhe ka arrestuar dy personat.
“Partia Demokratike e Kosovës, duke dënuar ashpër sjelljen e aktivistëve të Vetëvendosjes, njofton opinion e gjerë, se kjo skenë e mashtrimeve të Vetëvendosjes, ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara. Andaj, të gjithë vëzhguesit e PDK-së, do të jenë në krye të detyrës, për ruajtjen e votës dhe të vullnetit të qytetarëve. Me këtë rast u bëhet thirrje edhe vëzhguesve të subjekteve tjera politike dhe OJQ-ve, monitorues të zgjedhjeve, t’i raportojnë rastet e tilla. Vota e secilit është e shenjtë dhe nuk do të lejohet, që askush të abuzojë me të drejtën legjitime të qytetarëve”, ka thënë kjo parti.
PDK, në Prizren, me këtë rast ka falënderuar Policinë e Kosovës, “të cilët janë në shërbim të qytetarëve për parandalimin e veprave kriminale, siç janë vjedhja dhe blerja e votave”.