PDK në Prizren reagon pas ngritjes së akuzave ndaj 5 zyrtarëve komunal të Prizrenit
Dega e Partisë Demokratike (PDK) në Prizren ka reaguar pas ngritjes së akuzave ndaj 5 zyrtarëve komunal të Prizrenit.
Përmes një reagimi drejtuar medieve, PDK vlerëson këtë si argument për “katandisjen e kësaj qeverisje, të inkriminuar në krim dhe korrupsion”.
Në vazhdim komunikata e plotë e PDK:
“Ky term, nën udhëheqjen aktuale të Prizrenit, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë premtimeve elektorale, se do të udhëheqin me duar të pastra, në këto 2 vite qeverisje, dëshmuan të kundërtën, ku ndaj shumë zyrtarëve të komunës dhe drejtorëve, filluan hetime, madje edhe u ngritën aktakuza për keqpërdorime të pozitave apo autoritet zyrtar, duke abuzuar me pozitat e tyre.
Rasti i sotëm, i ngritjes së aktakuzës ndaj Drejtorit të Shërbimeve Publike, z.Levent Kasemit dhe 4 zyrtarëve të tjerë, tregon më së miri edhe një herë, katandisjen e kësaj qeverisje, të inkriminuar në krim dhe korrupsion.
Në bazë të informatave nga tereni, pas një kallëzimi penal, Prokuroria Themelore në Prizren, shpejt pritet që të ngrit aktakuzë edhe ndaj Drejtoreshës së Arsimit, znj.Xhemile Thaçi-Vezgishi, rreth çështjes së shumë përfolur tashmë, për anulimin e konkursit në Drejtorinë e Arsimit.
Kryetari i komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka, konform përgjegjësive të tija, duhet urgjentisht t’i shkarkoj zyrtarët dhe drejtorët me aktakuza, në mënyrë që premtimet elektorale të VV-së, për qeverisje me duar të pastra, mos të jenë vetëm premtime boshe”.