Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në Prizren sot mban Kuvendin zgjedhor të degës, në të cilin do ta zgjedh kryetarin e ri për mandatin e ardhshëm. Nga Kuvendi po ashtu pritet të dalin edhe strukturat udhëheqëse të saj.
Kuvendi është një pikëkthese jo vetëm për këtë subjekt, por edhe të ardhmen e Prizrenit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”. Kjo për atë se këtu nuk zgjedhet vetëm kryetari i degës më të fuqishme në Prizren e Dukagjin, por ai shihet edhe si pretendenti kryesor, e mbase edhe kryetar i ardhshëm i Prizrenit.
PDK është partia më e madhe politike në Prizren, ndonëse pas zgjedhjeve të vitit 2017 mbeti në opozitë. Ky subjekt ka numrin më të madh të anëtarëve në Kuvendin Komunal, gjithsej 12, apo 5 më shumë se sa Vetëvendosje!, që për shkak të postit të kryetarit të Komunës, drejton pushtetin lokal.
Pretendenti kryesor për ta marrë postin e të parit të PDK-së në Prizren është Shaqir Totaj, por në Kuvendin zgjedhor mund të paraqiten edhe kandidat tjerë për postin e të parit të degës.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka njoftuar se nuk do të kandidojë për këtë pozitë.
Në këtë kuvend do të marrin pjesë personalitetet e këtij subjekti politik.
Kuvendi mbahet në ora 10:00, në restorant Nafron (tek rruga transitore)./GazetaePrizrenit.net/
Lexo edhe: