PDK në Prizren: Të gjitha raportet dëshmi për keqqeverisjen e Haskukës dhe Vetëvendosjes
Publikimi i raporteve nga Ministria e Pushtetit Lokal si dhe raporti i USAID-it, në të cilat Komuna e Prizrenit ka dalë keq sa i përket performancës, ka nxitur reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) në Prizren.
Partia më e madhe përmes një komunikate për shtyp ka kritikuar keqqeverisjen e kryetarit Mytaher Haskuka.
Komunikata e plotë e PDK-së:
Në bazë të vlerësimit të performancës së komunave në nivel vendi nga MAPL dhe USAID, Komuna e Prizrenit renditet si mos më keq në tabelë, nën udhëheqje të Kryetarit Mytaher Haskuka nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Lexo edhe:
Komuna e Prizrenit del keq edhe në raportin e USAID-it amerikan për performancë (Dokument)
Nuk e dimë se a ekziston ndonjë sektor, që Komuna e Prizrenit gjatë kësaj qeverisje, mund të dal sado pak më mirë në vijim, sepse në bazë të gjetjeve deri më tani, komuna jonë gjendet në fund të listës tabelare në çdo resor, madje edhe më keq se disa komuna shumë më të vogla se Prizreni dhe si pasojë e kësaj, çdo ditë e më shumë po rëndohet jeta e qytetarëve të komunës sonë.
Ndoshta nuk i’a kanë pasur “inat” dhe “gjelozi” MAPL dhe USAID komunës sonë, që e kanë vlerësuar këtë pushtet ndër më të dobëtën në qeverisje lokale, sepse deri më tani pozita e ka akuzuar tërë kohën opozitën, kur ne me kohë e kemi vlerësuar si të tillë këtë pushtet abuziv, që nga fillimi i kësaj qeverisje skandaloze.
Andaj, PDK dega në Prizren, i fton qytetarët e Komunës së Prizrenit, që në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2021, të votojnë partinë e cila ka bërë revolucion infrastrukturor dhe social, për rregullimin e jetës së qytetarëve të komunës sonë.