PDK në Prizren, që tashmë ndodhet në procesin e brendshëm zgjedhor vlerëson se nga ky proces, që sipas tyre ka sjellë aderime të shumta, do të marrim impulse e frymëzime të reja për të ecur drejt fitoreve të radhës, të cilat e presin PDK-në, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
PDK që është subjekti më i madh politik në Prizren, me 13 asamblistë në organin më të lartë komunal, sic dihet pas zgjedhjeve të fundit lokale është pjesë e opozitës. Kjo parti tashmë ka filluar procesin zgjedhor.
Samir Hoxha, kryetar i Komisionit Zgjedhor Lokal në Prizren, tha se procesi zgjedhor deri më tani po zhvillohet në drejtimin e duhur, falë strukturave drejtuese të PDK-së, të cilat po tregojnë gatishmëri dhe përgjegjësi për të punuar.
Ai ka thënë se evidente dhe shumë inkurajuese është interesimi i madh i shumë qytetarëve për të qenë pjesë e strukturave të PDK-së, për t’u anëtarësuar dhe për të marrë përgjegjësi në strukturat drejtuese të PDK-së e cila drejtohet në frymën e “Dekadës së Re” të cilën po e udhëheq kryetari Kadri Veseli
“Ne në PDK fuqishëm jemi të bindur dhe të vendosur se, ky proces zgjedhor është një moment dhe zhvillim i rëndësishëm politik për Degën e PDK-së në Prizren, ndaj, gjithsesi, nga këto zgjedhje do të marrim impulse e frymëzime të reja për të ecur tutje në fitoret e radhës që e presin PDK-në”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.
Procesin zgjedhor në Prizren, duket se e konsideron të rëndësishëm edhe vetë kreu i partisë, Veseli, i cili ka marrë pjesë në kuvendin e nëndegës së Korishës.
Në kuadër të këtij procesi zgjedhor, PDK në Prizren do ta zgjedh edhe kryetarin e ri të degës. Deri tash vetëm Shaqir Totaj (ish-kandidat i këtij subjekti për kryetar komune në zgjedhjet e kaluara) ka shpallur kandidaturën për kryetar të Degës./GazetaePrizrenit.net/