Në Prizren pas luftës në pushtet dhe në opozitë kanë qenë dy subjektet më të mëdha politike, PDK dhe LDK. Realiteti tashmë ka ndryshuar, dhe në zgjedhjet e fundit lokale, të vjeshtës së vitit 2017, siç dihet gjërat kanë ndryshuar, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Në bazë të numrit të anëtarëve në Kuvendin Komunal (KK), PDK, që mbajti pushtetin për 10 vjet, përsëri radhitet e para, me 13 ulëse, por LDK doli e treta me 6 kuvendarë. Forca e dytë është ranguar Vetëvendosje! e cila për shkak se kandidati i saj Myaher Haskuka ka fituar në balotazh ndaj Shaqir Totajt të PDK-së, tashmë mban pushtetin. Ajo në koalicioni ka partnerët e saj LDK-në, Nismën e partitë minoritare turke e boshnjake.
Ndonëse ka numrin më të madh të ulëseve, prej se është pjesë e KK-së, Partia Demokratike e Kosovës qëndron në opozitë. Kjo është hera e dytë kur ky subjekt provon një pozicion të tillë politik. PDK fillimisht ishte në opozitë gjatë viteve 2000-2007, kur pushtetin e kishte LDK-ja, të cilës i printe kryetari Eqrem Kryeziu.
PDK e asaj kohe mbahet mend për një opozitarizëm dinjitoz, ndaj pushtetit të E.Kryeziut, i cili pat deklaruar se në Prizren është sfiduese të jesh në pushtet, pasi këtu ka një opozitë “të fortë”, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Reagimet opozitare në disa raste e patën detyruar Kryeziun, t’i shkarkonte disa nga drejtorët e tij, përfshirë atë për inspektorate, dhe të bujqësisë, ndërsa presioni opozitar e pat vënë në siklet, Eqrem Kryeziun, duke e nxjerrë në votëbesim para asamblistëve, ish-kryeshefin Ragip Gajraku, të cilin përkundër që “mezi e shpëtuan”, më vonë e ndërruan nga ky post.
Pra, PDK-ja e asaj kohe mbahet mend për një veprim këmbëngulës opozitar.
Sipas opinionistëve në Prizren, skenën politike në gjashtë muajt e fundit, e kanë karakterizuar dy gjëra, të cilat në dy raste kanë të bëjnë me pritshmërinë qytetare. Në rastin e parë bëhet fjalë për një pritshmëri shumë më të madhe nga qeverisja e re, ndërsa në të dytin nga veprimet konkrete të munguara të opozitës, hiq ndonjë reagim gjatë seancave të KK-së.
Aktualisht përkundër, që është partia më e madhe në Prizren, për shkak të humbjes së kandidatit të saj për kryetar komune, përkundër një diference të ngushtë, prej më pak se 300 votash, PDK kaloi në opozitë.
Ndërrimi i pozicionit të saj pritej me interesim, pasi pritej që PDK do të jetë zëri kryesor opozitar, marrë parasysh jo vetëm që kishte gati dyfishin e numrit të asamblistëve kundrejt Vetëvendosjes, që ka vetëm 7 ulëse në Asamble, por edhe për shkak të eksperiencës së gjatë në pushtetet dhe në opozitë të PDK-së.
Por, gjërat nuk dolën kështu, së paku në pjesën e parë të vitit të saj si opozitë. Përpos një reagimi zyrtar, përmes një konference shtypi, në muajin maj, PDK-ja nuk ka arritur ta “djersitë” ndonjëherë, kryetarin e ri Mytaher Haskuka.
PDK paralajmëroi edhe formimin e një “qeverie lokale nën hije”, që do ta përcillte hap pas hapi qeverisjen komunale, por deri tash nuk ka ndonjë lëvizje të dukshme në këtë drejtim.
Paraqitjet e kuvendarëve të PDK-së, gjatë seancave të Kuvendit, përkundër kritikave drejtuar pushtetit, më tepër lënë përshtypjen si qëndrime individuale se sa të një grupi të organizuar homogjen. Deri tash nuk ka pasur ndonjë nismë për ndonjë rregullore, apo dokumente tjetër në kuadër të përgjegjësive të Komunës.
Në PDK janë të shpallura zgjedhjet e brendshme dhe ndoshta kjo reflektohet edhe në politikbërjen aktuale të subjektit më të madh opozitar, prej të cilës gjithsesi pritet një veprim opozitar shumë më serioz. /GazetaePrizrenit.net/