28-11-2024

PE miraton raportin për Kosovën të Komisionit Evropian

Parlamenti Evropian ka miratuar sot raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

Raporti në fjalë është për vitin që lamë pas, 2022.

Në këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përmes tij, u bëhet thirrje shteteve anëtare të BE-së që s’e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme, si dhe ta hapin rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Një ditë më parë, eurodeputetët debatuan për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi. Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia ta kenë prioritet dialogun për të përparuar në rrugën evropiane.

Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, ka thënë ajo gjatë debatit.

Të mërkurën është miratuar edhe rezoluta për Serbin. Aty është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë obliguese për vendet anëtare.

Asnjë koment

Comments are closed.