Pelosi ia shqyen fjalimin Trump-it në prani të tij: Është një grumbull gënjeshtrash
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, i ka shqyer letrat ku ishte shkruar fjalimi i presidentit Donald Trump në kohën kur kreu i Shtëpisë së Bardhë ishte duke e mbajtur fjalimin para anëtarëve të këtij institucioni.
Fjalimi vjetor i presidentit në Dhomën e Përfaqësuesve u shënua me dy momente të tensionuara.
Fillimisht, presidenti Trump nuk ia dha dorën Pelosi-t pasi kjo e fundit e zgjati dorën për ta përshëndetur atë pasi e pranoi një kopje të fjalimit vjetor.
Duket se ky gjest e nervozoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila e grisi kopjen e fjalimit në kohën kur presidenti po e përmbyllte fjalimin dhe po merrte duartrokitje nga zyrtarët e pranishëm.
Përmes një deklarate, Pelosi e kritioi presidentin Trump se nuk ka ofruar rehati për familjet që kërkojnë mundësi të mira për kujdes shëndetësor dhe se nuk ishte i sinqertë kur foli për politikat e kujdesit shëndetësor, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
“Javën e ardhshme, kur presidenti ta paraqesë buxhetin e tij, populli amerikan do ta shohë realitetin e qartë të agjendës së tij”, thuhet në deklaratën e saj.
Në këtë dokument gjithashtu thuhet: “Buxheti federal duhet të jetë deklaratë e vlerave tona kombëtare dhe presidenti në mënyrë pikëlluese ka dëshmuar se nuk e vlerëson shëndetin e mirë të popullit amerikan.”
Shtëpia e Bardhë reagoi ndaj gjestit të Pelosi-t, duke thënë se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tregoi mungesë respekti për mysafirët që ishin ftuar nga Trump-i për ta dëgjuar fjalimin e tij.