Pengmarrja e shqiptarit nga Kosova/ Dalin pamjet, autorët duke drekuar me 39-vjeçarin, dyshohet
Policia e Vlorës ka njoftuar arrestimin e tre personave, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së një 39-vjeçari nga Kosova.
Sipas policisë, ngjarja lidhet me një borxh të pashlyer, ndërsa i riu dyshohet se është mbajtur peng për rreth dy javë në një banesë në lagjen “Osman Haxhiu”, në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë që tre të arrestuarit pritet të dalin përpara togave të zeza, pala mbrojtëse ka përgatitur materialet e saj. Në fashikujt e dorëzuar nga avokatët përfshihen video dhe fotografi, ku shfaqet i riu nga Kosova, i cilësuar nga policia si viktimë e pengmarrjes, së bashku me personat e arrestuar.
Në pamjet filmike dhe fotografitë e paraqitura, personat duken duke drekuar së bashku dhe duke u sjellë në mënyrë të qetë, çka sipas mbrojtjes tregon se ata njiheshin me njëri-tjetrin dhe se nuk bëhet fjalë për një situatë pengmarrjeje.
Sipas pretendimeve të palës mbrojtëse, i riu nga Kosova ka ardhur në Vlorë me valixhe dhe veshmbathje personale, me qëllimin për të qëndruar aty për një periudhë kohe.
