Pensionohet veterani i arsimit prizrenas dhe veprimtari, Beqir Letaj
Sot, në moshën 65 vjeçare u pensionua veterani i arsimit, Beqir Letaj, profesor i Historisë, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, duke dhënë kontribut në edukimin e gjeneratave të shumta në komunën e Prizrenit.
U lind në vitin 1958 në fshatin Lukije të Hasit, ndërsa në vitin shkollor 1977/78 e filloi punën si mësimdhënës në sh.f.”Bajram Curri“ në Romajë. Një kohë ka punuar në paralelet e ndara të Lugishtës dhe Kushninit.
Pas vitit 1981, shprehet se ka punuar në rrethana represioni nga pushteti jugosllav, pasi vëllai i tij (Kasumi- tash profesor universitar) ishte burgosur politikisht.
Në vitin shkollor 1990/91, ka filluar punën si profesor i historisë në paralelen e gjimnazit në Zym dhe në qendër në Prizren. Gjatë viteve 1994/97 krahas punës në gjimnazin e Prizrenit, ka punuar vullnetarisht në paralelen e sapo hapur të gjimnazit në Gjonaj, ndërsa nga 1997/2000 në atë të Romajës.
Në vitet 90-ta, ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar (LASH) ”Naim Frashëri”, për Regjionin e Prizrenit.
Prof. Letaj është dalluar në punën edukativo-arsimore me nxënës, në aktivitetet e lira jashtëmësimore, si dhe ka dhënë kontribut të vlefshëm në aktivitete atdhetare, shoqërore dhe kulturore. Pas luftës ishte nismëtar për ndërtimin e shkollës në lagjen “Jeta e Re” të Prizrenit.
“Vitet e represionit serb, kur u detyruam të punonim në shtëpi-shkolla i përjetova në tërësi si mijëra mësimdhënës shqiptarë të Kosovës. Nuk mund të përshkruhen me pak rreshta ato vuajtje, kur punonim pa paga dhe nën kërcënimet e policisë serbe. Isha i detyruar të punoja me zhavorr gjatë fundjavës, dhe me ato 20-30 marka gjermane (DM) të fituara, ta përballoja udhëtimin Lukinaj-Prizen dhe anasjelltas. Ndonjëherë nuk kisha para për bukë”, shprehet ai, për portalin “Gazeta e Prizrenit”.
Nga viti shkollor 2009-2016, ushtroi detyrën e zv/drejtorit të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren.
Profesori shumëvjeçar Beqir Letaj, ka bërë një punë të mrekullueshme për botimin e monografisë “Gjimnazi i Prizrenit 1855-1968”, duke përmbushur zbrazëtinë e deritashme për këtë tempull të diturisë.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin, në arsimimin e shumë gjeneratave, në rajonin e Hasit dhe të Komunës së Prizrenit, kolegët dhe nxënësit e tij në Gjonaj e Romajë kanë organizuar ceremoni mbresëlënëse.
Për përkushtimin e treguar 45 vjeçar, profesori Letaj, meriton mirënjohje dhe falënderime nga institucione lokale e shtetërore. /GazetaePrizrenit.net
Lexo edhe: