Pensionohet veterani i arsimit prizrenas, profesori i gjimnazit, Muhamet Çollaku
Në moshën 65 vjeçare, u pensionua veterani i arsimit prizrenas, që punoi në gjimnazin “Gjon Buzuku”, profesori i Gjeografisë, Muhamet Çollaku, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Ai ia kushtoi një jetë të tërë arsimit, duke dhënë kontribut në edukimin e gjeneratave të shumta, fillimisht në Zym e pastaj në Prizren.
Profesori Çollaku punoi në vitet sfiduese të represionit serb, në shtëpitë-shkolla, në një kohë kur gjatë viteve 90-ta përkundër barrës për mbijetesën e familjes, vijonte i rregullt edhe në punë.
Përcjellja në pension është bërë me një ceremoni mbresëlënëse, në të cilën fjalë miradije dhe respekti kanë folur kolegët, duke vlerësuar kontributin shumëvjeçar, si shembull i punës dhe profesionit, mbi të gjitha përfundimin faqebardhë të misionit të mësimdhënësit.
Në shenjë mirënjohjeje për punën dhe kontributin, ai është nderuar me disa mirënjohje. Karakteristikë është se meqë ligji e parasheh, profesori e la punën, ditën që mbushi 65 vjet, apo vetëm dy ditë para përfundimit të gjysmëvjetorit të parë.
Për përkushtimin e treguar, sidomos sakrificën e tij për shkollimin superior të fëmijëve, profesori Çollaku meriton mirënjohje dhe falënderime si nga institucione lokale ashtu edhe nga ato qendrore. /GazetaePrizrenit.net