Për inat të shtetit vrau vogëlushin kosovar, detaje të reja nga ngjarja në Zvicër
Gruaja që më 21 mars në Bazel vrau me thikë vogëlushin 7 vjeçar me prejardhje nga Kosova, ka mbrapa saj një histori të gjatë të raporteve të tensionuara me shtetin. Dhe, me vrasjen mizore të fëmijës së pafajshëm ajo duket se ka dashur të tërheqë vëmendjen e publikut (dhe të shtetit). Televizioni Telebasel ka publikuar sot dëshmi që, sipas tij, e mbështesin këtë tezë.
Së pari, dorasja, Angela N. menjëherë pas aktit kriminal ka telefonuar në Telebasel ku ka deklaruar: “Posa e kam vrarë një fëmijë” duke e tmerruar kështu punonjësin e administratës që kishte marrë telefonin, transmeton albinfo.ch. Arsyeja, sipas transmetuesit lokal është se pensionistja 75 vjeçe është ndier se “nuk po merret seriozisht” nga autoritetet.
“Unë jam dëbuar nga banesa ime, nuk kam më fare qasje në banesë”, i ka thënë ajo me një zë të qetë punonjësit të Telebaselit.
Ndërkaq, siç shkruan 20minuten, gruaja në fjalë është prej dekadash e njohur si një grua “problematike notore”. Së bashku me partnerin e saj në fillim të viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në kohën kur ende banonte në Allschwill të Kantonit Baselland, ajo i kishte drejtuar pa numër shumë peticione Qeverisë së Kantonit. Të dy e konsideronin veten si viktima të një “afere korrupsioni”. Tema e ngritur nga ky çift kishte arritur deri te kryetari i atëhershën i Parlamentit të Zvicrës, Arnold Koller.
Në arkivin Federal në Bernë, korrespondenca e partnerit të saj (dhe vetë asaj) me autoritetet federale mbush një dosje prej më shumë se 300 faqesh, shkruan “20Minuten”. Shumicën e letrave i kanë nënshkruar të dy partnerët.
Më simptomatike është një letër rekomande në të cilën partneri i Angela N., i shkruante presidentit të parlamentit më 24 korrik 1985 si vijon: “Kur politikanët dështojnë, flasin armët”.
Pas vdekjes së partnerit në vitin 1999, Angela N. ishte futur gjithnjë e më shumë në borxhe dhe kishte vazhduar që për gjendjen e saj të fajësonte autoritetet, duke u shkruar letra dhe duke u caktuar ultimatume.
Ajo tash mbahet në burgun për hetime, në Bazel dhe njëkohësisht po bëhet edhe ekzaminimi i saj psikiatrik.