Për këtë vit falen 100 euro, nga 2025 zbatohet tatimi progresiv
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët e partive opozitare për Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.
Në seancën e sotme të Kuvendit, ministri Murati tha se përmes këtij projektligji falen 100 euro të faturës së vitit aktual të tatimit, nga e cila sipas tij, përfitojnë 95 përqind të qytetarëve. Ai po ashtu tha se nga viti 2025, do të fillojë edhe tatimi progresiv.
“Me këtë projektligj, çfarë kemi propozuar është që për vitin aktual të zvogëlohet barra e tatimpaguesve për secilin deri në 100 euro, aq sa është vlera e faturës për vitin aktual. Kjo pra prek 95 për qind të qytetarëve. Çështja e dytë ka të bëjë me periudhën kalimtare për vitin e ardhshëm, ku pragu prej 0.15 për qind ulet në 0.10 për qind për të gjithë. Dhe, për vitin 2025 e tutje, është propozu që të ketë tatim progresiv, pra të përshkallëzuar, e ku me lirimet e përshkuara për pronën primare duhet të arrihet vlera prej 275 mijë euro e pronës ose të tejkalohet, në mënyrë që të fillojë të paguhet më shumë. Pra, kushdo që është nën 275 mijë të vlerës së pronës, i bie të paguajë më pak”, tha ai.
Por deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh kundër këtij projektligji, derisa akuzoi ministrin Murati se po e rrit tatimin në pronë.//GE