Për parandalim – padrejtësitë nga drejtorët gjatë vlerësimit të mësimdhënësve
Shkruar nga Xhavit Rexhaj
Ishte lajm i mirë kur u miratua Udhëzimi i ri i MASHTI për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve. Me këtë Udhëzim barteshin një sërë kompetencash të vlerësimit nga Inspektorati në shkollë dhe kështu demokratizohej dhe profesionalizohej procesi. Besohej se kështu mund të rritej efikasiteti i procesit, të përmirësohej performanca dhe të përshpejtohej procesi i licencimit.
Mirëpo, vetëm në këto dy javët e fundit në adresën time kam marrë së paku gjashtë ankesa nga mësimdhënës individualë ose nga grupe mësimdhënësish për lëshime, shkelje e besa edhe keqpërdorime të procesit – për dëmtim të mësimdhënësve të padëshirueshëm ose të papreferuar të drejtorëve individualë!

Për të mos e zgjatur, propozoj që:
MASH, përmes Inspektoratit Arsimor dhe Institutit Pedagogjik, të bëjë një vlerësim të dy viteve të para të zbatimit dhe të plotësojë – amandamentojë Udhëzimin, duke përmirësuar mekanizmat mbrojtës, ankesat, informatat kthyese, afatet e secilit hap dhe përgjegjësinë – llogaridhënien e secilit për veprimet e veta.

Po ashtu, duhet bërë një program për informimin dhe aftësimin e drejtorëve për kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme.
Unë jam mbase përkrahësi më i madh i drejtorëve të shkollave në Kosovë; po ashtu e di se shumë drejtorë e kryejnë detyrën e tyre me ndërgjegje, mirëpo mjaftojnë edhe vetëm pesë përqind e drejtorëve që të devalvohet procesi, duke shkuar lëndët në inspektorat të arsimit ose të punës, në prokurori e në gjykata.
Një gjë e tillë e dëmton pastaj: (a) sigurimin e cilësisë, (b) performancën e mësimdhënësve, (c) licencimin e mësimdhënësve dhe (d) marrëdhëniet në shkollë. Këtë shkolla shqipe nuk ia ka borxh askujt, edhe më pak drejtorëve!

Në fund, nuk duhet fajësuar individët e pozitat, sepse për ta kujdesen gjykatat, por duhet rregulluar kornizën ligjore për të parandaluar e shmangur situata të tilla – e besa edhe konflikte – me pasoja të rënda për shkollën. Domethënë, në vend të rritjes së efikasitetit të vlerësimit, mund të përfundojmë në raporte të çrregulluara e në proces të dëmtuar të licencimit!
