27-11-2024

Për shpenzimet e udhëtimit si deputete, Osmani: Nuk e kam vërejtur kompensimin mujor prej 80 eurosh

Ditë më parë mediat kanë publikuar shpenzimet e deputetëve, duke përfshirë këtu edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e që në atë kohë ishte deputete.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë që në kohën kur ajo është regjistruar si deputete dhe i ka dhënë të dhënat personale, nuk e ka ditur se këto të dhëna kanë të bëjnë me kompensime për udhëtime, transmeton Telegrafi.

Madje, presidentja ka pohuar se as nuk i ka vërejtur nga 80 euro që ka marrë së bashku me pagën bazë të deputetes.

“Zyra ime tashmë ka reaguar për këto gjëra, kur unë kam qenë deputete për herë të parë, e jep profilin që publikohet në web-faqen e Kuvendit, në atë mandat unë jam zgjedhur nga Mitrovica, jam regjistruar ashtu. Dhe askush nuk ka thënë se kur regjistrohesh këto të dhëna kanë të bëjnë me kompensim.Unë për herë të parë kam dëgjuar se ka kompensim për udhëtim tash kur ka dalë në media”, deklaroi ajo.

Osmani në RTK tha se ajo asnjëherë nuk ka bërë kërkesë për kompensim.

“Paga e deputetit merret pagesë e tërësishme, aty përfshihet paga bazë, shtetas për seanca, shtesat për komisione, shtesat për mëditje, të gjitha këto vendosën në pagesë. Mua më kanë vendosur nga 80 euro në muaj për udhëtim, më vjen keq që nuk i kam vërejtur këto 80 euro”, potencoi presidentja.

Osmani më në fund ka folur për deklaratat e bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, i cili i quajti mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Por, e para e shtetit e mohon kategorikisht një gjë të tillë duke thënë se statusi i bashkëshortit të saj në Facebook është nxjerrë nga konteksti dhe se fjala “ndërmarrje e përbashkët kriminale” nuk ka qenë për gazetarët.

“Ai [Prindon Sadriu] e ka bërë një qartësim dje i cili fatkeqësisht prapë ka dalë nga konteksti për dy arsye. Ai e qartëson shumë mirë që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”. Mjafton bre ta lexojnë. Mjafton ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”. Është absurditet të mveshën fjalë që nuk janë thënë”.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit janë kritikuar për shpenzime të shumta në karburante. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.